Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka miratuar projekte për kalanë e Kaninës, kalanë e Borshit dhe Muzeun Arkeologjik Korçë. Në vijim të punës për restaurimin e monumenteve të kulturës, IKTK në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale ka shqyrtuar një sërë projektesh. “Sipas vendimeve të miratuara rezultojnë disa nga këto projekte restaurimi dhe konsolidimi për t’u zbatuar: Kalaja e Kaninës; kalaja e Borshit; Muzeu Arkeologjik Korçë”, thuhet nga IKTK. Kalaja e Kaninës është Monument Kulture, Kategoria I, që ndodhet në qarkun Vlorë.

Në kuadër të projektit të restaurimit të kalasë do të kryhen ndërhyrjet studim i detajuar i gjendjes së konservimit të strukturave të kalasë nëpërmjet studimeve dhe vlerësimeve gjeologjike, hidrologjike, strukturore. Ndërhyrje konsoliduese nëpërmjet vendosjes së barrierave të sigurisë, stabilizimit të tokës, mbështetjes së bazës së shpatit dhe ankerave shkëmbore, etj. Ndërhyrje konservuese dhe restauruese të strukturave të kalasë. Krijimi i infrastrukturës së nevojshme për interpretimin e sitit dhe përmirësimin e eksperiencës së vizitorëve, dhe krijimi i një amfiteatri. Kalaja e Borshit është Monument Kulture, Kategoria I dhe daton rreth shekullit IV-III p.e.s.

Në kala do të ketë ndërhyrje restauruese dhe konservuese të strukturave të kalasë, ndërhyrje konsoliduese dhe restauruese të strukturës së xhamisë, etj.

Muzeu Arkeologjik Korçë u krijua në vitin 1985. Në të janë ekspozuar pasuritë arkeologjike të trevave juglindore të Shqipërisë, ku vendin kryesor e zë pellgu i Korçës. Në kuadër të projektit për restaurimin e muzeut do të ketë ndërhyrje përforcuese në themelet e ndërtesës dhe në muraturë, restaurim i çatisë në tërësinë e elementeve të saj konstruktivë, restaurim i muraturës prej guri, restaurim i ndërkateve, etj.