Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin shtesë për projektin e zhvillimit të integruar urban dhe turizmin”. Të pranishëm në këtë komision, përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe FSHZH, vunë theksin në fokusin e kësaj marrëveshje që adreson mbështetje financiare për zhvillimin e infrastrukturës dhe të turizmit, në 4 bashki të vendit, Sarandë, Gjirokastër, Përmet dhe Berat. Sipas tyre, projektet zhvillimore që do të ndërmerren në këto rajone, synojnë nxitjen e turizmit dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për të mbështetur turizmin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale në zonat e përzgjedhura në jug të Shqipërisë. Relatorja e këtij projektligji, Tatjana Pirro tha se, “Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim do të akordojë shtesën e financimit prej 30,000,000 eurosh Republikës së Shqipërisë, me qëllim financimin e projekteve të përshkruara në këtë marrëveshje dhe duke vendosur si datë përfundimi datën 31 korrik 2025. Entiteti zbatues i projektit është Fondi Shqiptar i Zhvillimit”. Projekti për zhvillimin e integruar urban dhe turizmin (PIUTD) është pjesë e strategjive afatgjata të qeverisë shqiptare për të gjallëruar ekonomitë vendore dhe jetën komunitare përmes një vëmendjeje të shtuar ndaj zhvillimit urban dhe turizmit. Objektivat e projektit lidhen me përmirësimin e infrastrukturës urbane, rritjen e vlerës së aseteve turistike, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për mbështetjen e zhvillimeve ekonomiko-sociale që lidhen me sektorin e turizmit. Gjithashtu relatorja theksoi se ky projektligj, referuar rëndësisë së tij, konsiderohet pjesë e dokumentit “Axhenda 2030 për zhvillimin e qëndrueshëm dhe 17 objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm (SDG), të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në vitin 2015”, ku si objektiva ka nxitjen e rritjes ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, punësim të plotë dhe produktiv dhe punë të denjë për të gjithë, si dhe ndërtimin e infrastrukturave rezistuese, nxitjen e industrializimit gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm dhe nxitjen e novacionit.http://ata.gov.al/2022/10/04/turizmi-projekte-zhvillimore-ne-4-bashki/