“Të nxënit në vendin e punës” është programi më i ri i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive që synon nxitjen e punësimit te të rinjtë, duke ofruar kurse 3-6-mujore të formimit profesional, nëpërmjet të nxënit në vendin e punës dhe më pas punësimin edhe për 6 muaj të tjerë.
Ky program, i kombinuar midis teorisë dhe praktikës, u ofrohet të rinjve 15-29 vjeç, që nuk kanë arsim apo trajnim.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Blendi Gonxhja u bëri thirrje të rinjve dhe punëdhënësve të bëhen pjesë e këtij programi.
“”Programi i të nxënit në vendin e punës”, pjesë e Garancisë Rinore, është ura që lidh të rinjtë me tregun e punës dhe ndihmon bizneset të gjejnë profesionistët e së nesërmes”, u shpreh Gonxhja.
Përmes këtij programi, të rinjtë pjesëmarrës mbështeten me bonusin e transportit në vlerën 1600 lekë në muaj, si dhe pagesë për pjesëmarrje në kursin e formimit profesional, në masën 80% të pagës minimale gjatë gjysmës së parë të kursit dhe 100% të pagës minimale për pjesën e mbetur.
Për punëdhënësit, pjesëmarrës në program, programi ofron pagesën e instruktorit në biznes, i cili do të angazhohet në masën 20% të kohëzgjatjes normale ditore të punës, për çdo grup prej 5 (pesë) kursantësh. Po ashtu pagesën për sigurimin e kursantit për aksidente në punë gjatë kohëzgjatjes së kursit të formimit profesional, si dhe pagesën për sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, në masën e pagës minimale për 6 (gjashtë) muajt e tjerë të punësimit.
Papunësia në vend për grupmoshën 15 vjeç e lart ka zbritur në fund të vitit 2024 në 8,8%, niveli më i ulët ndonjëherë i regjistruar.