60 vjet më parë u themelua Instituti i Monumenteve të Kulturës, i cili sot mban emrin Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, një gur themeli në rrugën e gjatë të ruajtjes, mbrojtjes e promovimit së trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në këtë përvjetor, IKTK organizoi një konferencë ndërkombëtare, me profesionistë, ekspertë, profesorë dhe personalitete të nderuara nga vendi dhe jashtë tij për të ndarë dijen dhe përvojën e çmuar te tyre.
Konferenca dyditore vijon edhe nesër, në sallën “Aula Magna” të Universitetit Politeknik të Tiranës.
Në dy vitet e fundit janë shënuar rritje historike në ndërhyrjet për rijetësime dhe shpëtime: 309% më shumë projekte restaurimi e konservimi, 363% më shumë investime direkte në monumentet dhe objektet e pasurisë kulturore.
Gjithashtu, janë njohur dhe miratuar zona të mbrojtura të reja, duke përfshirë qendrat historike dhe ansamblet arkitektonike urbane në Rabdishtë, Peshkopi, Konispol, si dhe zonën arkeologjike të Linit, ndërsa së shpejti do t’i shtohet edhe Delvina.
Sa i përket projekteve të ardhshme, ministri Gonxhja përmendi projektin e qendrës së vizitorëve në Butrint, të hartuar nga arkitekti i mirënjohur ndërkombëtarisht, Kengo Kuma. Po ashtu në Apoloni dhe Bylis do të ketë qendra vizitorësh bashkëkohore, ndërsa për TID dhe Amfiteatrin e Durrësit së shpejti do të hapet një kapitull i ri. Gjithashtu do të nisë programi i rijetësimit të 100 kullave historike në 14 bashki.
Ministri Gonxhja tha se po ecet drejt një reformimi të thellë të institucioneve kulturore, duke fuqizuar IKTK-në përmes vetëfinancimit dhe ofrimit të shërbimeve, dhe duke ngritur Qendrën Rajonale për Konservim dhe Restaurim, që do të ofrojë trajnim profesional për restauratorët dhe ekspertët e rinj.
Në bashkëpunim me universitetet publike, do të fuqizohet Masteri në Restaurim, duke formuar brezin e ri të teknikëve dhe menaxherëve të trashëgimisë kulturore, të aftë të ndërthurin dijen shkencore me veprimin praktik në terren.





