Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Fiona McCluney, gjatë vizitës në Lushnje bashkë me me Ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, takuan edhe Klotildën dhe Francin, 2 përfitues të programit “Askush Të Mos Mbetet Pas”. Klotilda Çela, pasi u përfshi në një aksident automobilistik në vitin 2021, u detyrua të mbyllte dyqanin e saj të vogël familjar, i cili ishte burimi i vetëm i të ardhurave. PNUD përmes projektit të financuar nga qeveria Zvicerane, i erdhi në ndihmë duke i dhënë qasje në shërbimet sociale të integruara përmes Fondacionit “Ndihmë për fëmijë”, nga ku familja e Klotildës mori këshillime dhe mbështetje për arsimin e fëmijëve, si edhe përfshirjen e tyre në aktivitete brenda dhe jashtë shkollës. Klotilda dhe bashkëshorti i saj morën udhëzime se si të menaxhojnë biznesin e byrektores dhe si ta formalizojnë atë. Gjithashtu, qendra ndihmoi në përmirësimin e hapësirës së biznesit dhe sigurimin e pajisjeve bazë të nevojshme. Klotilda tashmë thotë se është e lumtur që po ndihmon familjen e saj, pasi jeta e tyre ka ndryshuar, si nga ana emocionale, por edhe financiare. Franci që në moshë të vogël ka ndihmuar nënën e tij rrobaqepëse, e cila është me aftësi të kufizuara. Pas shumë tentativave të tij në emigrim, ai u rikthye në Shqipëri dhe nisi punën si rrobaqepës në një fasoneri. Pas vlerësimit të nevojave dhe potencialit të tij, Qendra Komunitare për Familjen, nëpërmjet UNDP-së, e mbështeti Francin me udhëzim profesional dhe këshillim se si të menaxhojë një biznes dhe si ta formalizojë atë. Gjithashtu, qendra e ndihmoi me blerjen e pajisjeve. Tani, Franci dhe nëna e tij kanë rrobaqepësinë e tyre në lagjen e tyre. Ai shprehet se jeta e tij ka ndryshuar tërësisht. Të dyja këto ndërhyrje janë bërë në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Askush Të Mos Mbetet Pas”, i cili mbështetet nga Agjenia Zvicerane për Zhvillim dhe synon t’u vijë në ndihmë grupeve në nevojë, me qëllim mirëqenien dhe gjithpërfshirjen e tyre sociale. atsh