Në Tiranë u prezantua Programi i ri i Bursave i Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), një nismë e rëndësishme që synon të forcojë arsimin e lartë në Shqipëri dhe të krijojë mundësi reale për të rinjtë shqiptarë që të ndjekin studimet, si brenda vendit ashtu, edhe në universitete të njohura ndërkombëtare.

Ky program është ndërtuar mbi dy shtylla kryesore. Nga njëra anë, një program kombëtar bursash që ofron mbështetje për studentët e nivelit bachelor në Shqipëri, në universitetet që ofrojnë programe të përbashkëta, diploma të dyfishta ose ndërkombëtare, dhe nga ana tjetër, mbështetja për studentët që ndjekin studime master në universitetet e renditura në vendet e para në SHBA.

Në ceremoninë e prezantimit ishin të pranishëm, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, E ngarkuara me Punë në Ambasadën amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn, kreu i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, bashkëdrejtorët ekzekutivë të AADF-së, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, studentë dhe pedagogë.