Program edukativ për nxënësit e shkollave të mesme në muzeun “Shtëpia me gjethe”

0
3

Programi përmban një konkurs në arte pamore (pikturë, skulpturë, instalacion), në krijim letrar (ese, poezi etj.), në muzikë (melodi, këngë), si edhe në risi teknologjike.

Disa nga objektivat e këtij programi janë: përfshirja, angazhimi, nxitja e të rinjve për të marrë pjesë në aktivitete krijuese/edukuese, njohja e tyre me regjimin komunist shqiptar si dhe me veprimtarinë represive të ish-Sigurimit të Shtetit, reflektimi rreth kësaj të kaluare, promovimi i talenteve të reja, etj.

Nxënësit pasi vizitojnë muzeun, në bazë të ndjesive të përftuara krijojnë në njërin nga zhanret artistike. Punimet e tyre më pas dorëzohen në muze brenda 15 ditësh që nga vizita. Më pas, ato ekspozohen për rreth dy javë në faqen e Facebook-ut të “Shtëpisë me gjethe” dhe krijimi që merr më shumë pëlqime vlerësohet me çmim të veçantë.

Juria e përbërë nga specialistë të fushës vlerëson punimet më të mira. Është parashikuar që krijimet më të mira të vlerësohen me një dhuratë simbolike si dhe të bëhen pjesë e një katalogu.

Muzeu “Shtëpia me gjethe” ftoi përmes një publikimi në rrjetet sociale, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave të mesme, të bëhen pjesë e këtij projekti.