Ndërsa ekonomia e Shqipërisë vazhdon të rritet dhe të zhvillohet edhe tregu i punës vazhdon të ndryshojë shpejtësi.
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësimit publikoi 20 profesionet më të kërkuara, sipas arsimit.
Kërkesa për ekonomistë apo kontabilistë të kualifikuar është në rritje, veçanërisht për ata me përvojë në analizën dhe raportimin financiar.
Teksa bizneset në Shqipëri konkurrojnë në një treg gjithnjë e më global, nevoja për profesionistë të aftë të shitjeve dhe marketingut po rritet.
Po ashtu kërkesa të larta ka edhe për menaxherë për shërbimet e biznesit apo për hotele e restorante.
Sektori i IT-së është një nga industritë me rritjen më të shpejtë në Shqipëri. Vitet e fundit, Shqipëria është bërë një destinacion për kontraktimin e shërbimeve të IT-së. Kjo ka çuar në një kërkesë të lartë për profesionistët e IT-së, duke përfshirë zhvilluesit e programeve kompjuterike, zhvilluesit e web-it dhe administratorët e sistemeve informatike.
Po ashtu Shqipëria ka një industri ndërtimi në rritje dhe nevojiten inxhinierë për të projektuar dhe ndërtuar infrastrukturë të re. Krahas inxhinierëve të ndërtimit, kërkesa të shumta ka edhe për inxhinierë industrialë, elektrikë dhe mekanikë në sektorët e energjisë dhe të prodhimit.
Njëkohësisht kërkesa të larta ka edhe për arkitektë me përvojë në planifikimin urban dhe projektimin mjedisor.
Vendi po vijon trajektoren e tij si një nga destinacionet më të dëshirueshme të Europës, me plazhet e pacenuara, çmimet e përballueshme dhe hijeshinë mesdhetare që tërheq mijëra turistë, duke bërë që kërkesa për punonjës shërbimesh të rritet. Pranë AKPA-së bizneset kanë paraqitur kërkesa për kamarier, banakier, kuzhinier, apo ndihmëskuzhinier.
Për punonjës me arsim të mesëm ka një kërkesë të lartë për shitës në dyqane, shoferë kryesisht të mjeteve të rënda, marangoz, mekanik, saldator, punonjës kase, elektriçist, hidraulik apo bukëpjekës.
Për punonjësit me arsim të ulët, sektori privat ka nj] kërkesë të lart për punonjës pastrimi, rrobaqepës, prodhues këpucësh, punëtorë ngarkimi, në duralumin, punonjës në sektorin e peshkimit apo edhe në miniera.