Presidenti Bajram Begaj përkujtoi Prof. Eqrem Çabej, emrin më përfaqësues të shkencave albanologjike në 115-vjetorin e lindjes së tij. “Shpreh gjithë nderimin dhe mirënjohjen time si President i Republikës së Shqipërisë për Prof. Eqrem Çabejin sot në 115-vjetorin e lindjes së tij, jeta dhe vepra e të cilit e bëjnë akademikun tonë të madh emrin më përfaqësues të shkencave albanologjike”, u shpreh Presidenti në mesazhin e tij me këtë rast. “Me përkushtimin, vizionin dhe punën e palodhur prej patrioti të madh dhe intelektuali të shquar, si shkencëtar i rendit të parë, por edhe si dijetar, mendimtar dhe pedagog brilant, Eqrem Çabej jo vetëm i dha identitet shkencor akademizmit shqiptar, por ç’është më e rëndësishme i çeli horizonte të qarta duke e orientuar atë kah hullia e duhur, në të mirë të zbulimit dhe argumentimit shkencor të autoktonisë së shqiptarëve në trojet e të parëve të tyre, të vazhdimësisë iliro-shqiptare, të etnogjenezës ilire dhe prejardhjen e shqiptarëve prej tyre”, tha në mesazhin e tij Presidenti Begaj. Kreu i Shtetit shtoi se “për gjithçka i dha vendit, popullit dhe kombit tonë, Eqrem Çabej meriton e do të meritojë përjetë nderimin dhe mirënjohjen e brezave shqiptarë në shekuj”.