Prodhimi vendas i energjisë elektrike në vitin 2024 arriti 7,836 GWh, nga i cili, 4,371 GWh u prodhua nga kompania publike KESH, dhe 3,465 GWh u prodhua nga centralet e tjera.
Sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), kapaciteti total prodhues i energjisë elektrike i instaluar në vendin tonë deri më 31 dhjetor 2024 është rreth 3,213 MW.
Ky kapacitet ka pasur një nivel rritjeje krahasuar me vitin 2023 prej rreth 537 MW.
Rritja e kapacitetit të instaluar përgjatë vitit vjen kryesisht si rezultat i shtimit të burimeve të rinovueshme të energjisë elektrike fotovoltaike.
Referuar raportit, kapaciteti prodhues i energjisë elektrike i kompanisë publike KESH është 1,563 MW dhe përbën rreth 48.6% të kapacitetit të instaluar në vendin tonë, ndërsa prodhuesit e tjerë të energjisë elektrike kanë një kapacitet prej 1,650 MW dhe përbëjnë rreth 51.4% të këtij kapaciteti.
Centralet e prodhimit të energjisë elektrike janë të lidhura si në rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike, ashtu edhe në rrjetin e shpërndarjes.
Kapaciteti i instaluar i centraleve të lidhura në rrjetin e transmetimit gjatë vitit 2024 është rreth 2,679 MW dhe kapaciteti i instaluar i centraleve të lidhura në rrjetin e shpërndarjes përgjatë vitit 2024 është rreth 534 MW.