Në bashkinë e Durrësit është zhvilluar shorteu publik ku u shpërndanë apartamentet e reja për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019. Sipas njoftimit të Bashkisë Durrës, apartamentet e reja i përkasin pallatit nr. 30 Rruga “Hysen Myshketa”, Njësia Administrative nr. 3. Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako shprehet në një postim në rrjetet sociale se shorteu publik, i hapur dhe transparent, me objekt shpërndarjen e këtyre apartamenteve tek qytetarët që u janë prishur shtëpitë nga tërmeti, u zhvillua në prani të familjeve përfituese, komisionit të posaçëm dhe mediave. Pas shorteut banorëve të këtij pallati ju shpërndanë edhe çelësat e banesave të tyre të reja. Tashmë këto familje do të jetojnë në banesa me standarde bashkëkohore, më të bukura e më të forta se ato që kanë patur.