Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se për shkak të një problemi gjeologjik në tunelin e Murrizit, punimet po ecin ngadalë, por siguroi se rrugën e Arbërit do ta përfundojmë me se s’bën. Në një komunikim me qytetarët e gazetarët, Kryeministri iu përgjigj edhe pyetjes së tyre mbi ecurinë e punimeve në Rrugën e Arbërit. “Tani, unë vetëm të shkoj dhe ta kap tunelin me grushta se gjë tjetër nuk di se çfarë të bëj. Në tunelin e Murrizit ka një problem, një problem gjeologjik dhe në tunelin e Murrizit punohet përditë. Nuk është diçka të cilën ne mund ta parashikonim. Situatat e paparashikueshme në punët publike janë gjithmonë të mundura”, tha Rama. Po ashtu, ai shtoi se “në tunelin e Llogorasë ka dalë një shpellë brenda, kështu që kjo e bën punën më të komplikuar dhe sigurisht që kërkon një kohë më të gjatë për ta kapërcyer atë segment ku ka dalë kjo shpellë”. “Kështu që, në tunelin e Murrizit ecet me shpejtësinë e breshkës, kjo është e vërteta, por ecet. Ecet 1-1.5 m çdo ditë. Dhe unë nuk kam asnjë arsye për çfarë t’ u kërkoj fjalëve dibranëve sepse sidoqoftë sot pa tunelin e Murrizit, në Dibër shkohet e vihet brenda ditës lirisht. Por rrugë të lëna rrugëve, si largqoftë paraardhësi, nuk ka me mua dhe me ne. Nuk ndodh. Ne na ka vonuar shumë përmbyllja e atyre rrugëve që nuk ishin vetëm rrugë të lëna rrugëve, por ishin rrugë pa projekte, me korrupsion të madh, ishin rrugë pa financime, ishin rrugë me të gjitha hallet e kësaj bote. Dhe ja ku jemi sot, dhe do të vazhdojmë. Kështu që rrugën e Arbërit do ta përfundojmë me se s’bën, madje të gjithë dibranëve që i përkasin asaj zonës së errët të të menduarit politik, dhe që i shkojnë prapa atij që juve përmendni, u them që nëse doni të ikni, kini parasysh që pa mbaruar Rrugën e Arbërit, kjo nuk bën vaki kurrë njëherë. Kështu që më mirë me Rrugën e Arbërit sesa me atë botën e zymtë pa të ardhme, pa rrugë, pa dritë dhe pa shpresë ku jeni zhytur dhe ku nuk e kuptoni se sa thellë në të shkuarën qëndroni”, tha ai.http://ata.gov.al/2022/09/17/rruga-e-arbrit-rama-problemi-gjeologjik-ne-tunelin-e-murrizit-ngadalesoi-punimet/