Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREProblemet ushtarake dhe "skifterët" e Kremlinit

Problemet ushtarake dhe “skifterët” e Kremlinit

Edhe pse Kremlini sulmoi për të marrë pjesë të Ukrainës, në një përshkallëzim të mprehtë të konfliktit, ushtria ruse pësoi disfata, të cilat nxorën në pah problemet e saj të thella në fushën e betejës, si dhe hapën përçarje në krye të qeverisë ruse. Pengesat kanë dëmtuar keq imazhin e një ushtrie të fuqishme ruse, si dhe kanë shtuar tensionet rreth një mobilizimi të planifikuar keq. Problemet kanë nxitur përplasje brenda Kremlinit, duke bërë që presidenti rus, Vladimir Putin, të jetë gjithnjë e më shumë në qoshe. Ja një vështrim lidhur me humbjet e fundit ruse, si dhe pasojat e mundshme: VARG DËSHTIMESH NË VERILINDJE DHE NË JUG Duke u mbështetur tek furnizimet me armë nga perëndimi, Ukraina ka pasur arritje gjatë muajit të të kaluar, në rajonin verilindor të Kharkivit, duke ushtruar presion gjithnjë e më të thellë në zonat e pushtuara nga rusët, sidhe duke detyruar trupat ruse të tërhiqen nga qyteti i Lyman, një qendër e rëndësishme logjistike. Ushtria ukrainase ka nisur një kundërofensivë të gjerë në jug, duke kapur një varg fshatrash në bregun perëndimor të lumit Dnieper, si dhe duke përparuar drejt qytetit të Khersonit. Fitoret e Ukrainës në rajonin e Khersonit, pasuan sulme të pamëshirshme në dy vendkalimet kryesore mbi Dnieper, që i bënë ato të papërdorshme dhe i detyroi trupat ruse në bregun perëndimor të Dnieper të mbështeteshin ekskluzivisht në kalimet me ponton, të cilat gjithashtu janë goditur vazhdimisht nga ukrainasit. Phillips P. O’Brien, profesor i studimeve strategjike në Universitetin e St Andrews, parashikon më shumë dështime ruse në Kherson, duke vënë në dukje se “është e vështirë të stabilizosh një linjë kur logjistika është e shtrirë, trupat janë të rraskapitura dhe kundërshtari është shumë, shumë më i zgjuar.” Duke vuajtur mungesat e rënda të furnizimit, trupat ruse po përballen me një disfatë të afërt, që mund të krijojë terrenin për një shtytje të mundshme ukrainase për të rimarrë kontrollin e Gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në 2014. MUNGESAT USHTARAKE Gazetarët dhe blogerët ushtarakë të përfshirë me trupat ruse në Ukrainë, kanë paraqitur një pamjet e zymta të një force ushtarake të pajisur keq, të organizuar keq dhe nën komandë të paaftë. Me luftën në muajin e saj të tetë, ushtria ruse vuan nga mungesë personeli, mungesë koordinimi midis njësive dhe linjave të paqëndrueshme të furnizimit. Shumë njësi ruse kanë moral të ulët, një humor të dëshpëruar që bie në kontrast të fortë me forcat e mirë-motivuara të Ukrainës. Ndryshe nga ushtria ukrainase, e cila është mbështetur në të dhënat e inteligjencës të ofruara nga SHBA dhe aleatët e saj të NATO-s për të përzgjedhur dhe goditur objektivat, ushtria ruse është rrënuar nga inteligjenca e saj e dobët. Kur inteligjenca ruse dallon një objektiv ukrainas, ushtria angazhohet në një proces të gjatë sigurimi të lejes për ta goditur atë, i cili shpesh zvarritet derisa objektivi të zhduket. Korrespondentët rusë të luftës u ankuan veçanërisht për mungesën e dronëve dhe vunë në dukje se dronët e furnizuar nga Irani nuk janë përdorur për efektivitetin maksimal, për shkak të përzgjedhjes së dobët të objektivave. KREMLIN THËRRET MË SHUMË TRUPA, ANEKSON TERRITORE Presidenti rus Vladimir Putin, i’u përgjigj kundërofensivës ukrainase, duke urdhëruar një mobilizim të pjesshëm ushtarak, i cili synon të grumbullojë të paktën 300,000 rezervistë për të forcuar trupat përgjatë vijës së frontit 1,000 kilometra në Ukrainë. Në fillim të pushtimit, Ukraina shpalli një mobilizim gjithëpërfshirës, ​​me synimin për të formuar një ushtri prej 1 milion anëtarësh. Rusia deri në atë moment ishte përpjekur ta fitonte luftën me një kontigjent ushtarësh vullnetarë. SHBA-ja e vendosi forcën fillestare pushtuese deri në 200,000. Disa vlerësime perëndimore sugjerojnë se viktimat ruse arrijnë deri në 80,000, mes tyre edhe të të plagosur, si dhe robër. Qarqet në Moskë e mirëpritën mobilizimin, duke e komentuar si të vonuar, por qindra mijëra burra rusë u larguan jashtë vendit për të shmangur rekrutimin. Protestat u ndezën në të gjithë vendin, duke ngritur sfida të reja për Kremlinin. Rekrutët e freskët postuan imazhe që tregonin se ata ishin të detyruar të flenë në dysheme apo edhe në ajër të hapur. Disa raportuan se i’u dhanë armë të ndryshkura, si dhe u thanë t’i blinin vetë komplete mjekësore, si dhe pajisjet e tjera bazë. Lidhur me problemet e furnizimit, Putin shkarkoi një zëvendësministër të mbrojtjes përgjegjës për logjistikën ushtarake. Mobilizimi nuk ofron zgjidhje të shpejtë për problemet ushtarake të Rusisë. Do të duhen muaj që rekrutët e rinj të stërviten, si dhe të formojnë njësi të gatshme për betejë. “SKIFTERET” E KREMLINIT Në një shenjë të paprecedentë të luftimeve në nivelet më të larta të qeverisë, lideri rajonal i Çeçenisë, i mbështetur nga Kremlini, Ramzan Kadyrov, ka kritikuar ashpër drejtuesit e lartë ushtarakë, duke i akuzuar ata për paaftësi dhe nepotizëm. Kadyrov fajësoi gjeneral-kolonelin, Alexander Lapin, për dështimin lidhur me sigurimin e furnizimeve dhe përforcimet për trupat e tij, që çuan në tërheqjen e tyre nga Lyman. Ai deklaroi se gjenerali meriton t’i hiqet grada dhe të dërgohet në vijën e frontit si një ushtarak për të “larë turpin e tij me gjakun e tij”. Kadyrov gjithashtu akuzoi drejtpërdrejt oficerin më të lartë ushtarak rus, gjeneralin Valery Gerasimov, për fshehjen e gabimeve të Lapinit – një sulm i mprehtë që nxiti spekulimet se lideri çeçen mund të kishte krijuar një aleancë me anëtarë të tjerë të elitës ruse kundër udhëheqjes së lartë ushtarake. Në një deklaratë të prerë, Kadyrov i kërkoi Kremlinit të konsideronte përdorimin e armëve bërthamore me rendiment të ulët kundër Ukrainës për të ndryshuar rrjedhën e luftës, një thirrje që duket se pasqyronte popullaritetin në rritje të idesë midis “skifterëve” të Kremlinit. Në një shfaqje të mbështetjes së vazhdueshme për Kadyrov, Putini e gradoi atë në gjeneral kolonel për të shënuar ditëlindjen e tij. Ndërsa zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e përshkroi deklaratën e Kadyrov si tepër emocionale, por ai vlerësoi fuqishëm rolin e liderit çeçen në luftime dhe trimërinë e trupave të tij. Në një shenjë tjetër të intensifikimit të mospajtimeve në nivelet e larta, Yevgeny Prigozhin, një biznesmen milioner i quajtur “kuzhinieri i Putinit”, sulmoi guvernatorin e Shën Petersburgut, duke akuzuar se dështimi i tij për të ofruar ndihmë për kompaninë private të sigurisë Ëagner të Prigozhinit përbën mbështetje për Ukrainën. Disa anëtarë të tjerë të elitës ruse ofruan mbështetje të shpejtë për Kadyrov dhe Prigozhin, të cilët kanë shërbyer gjithnjë e më shumë si drejtues të qarqeve të skifterëve në Moskë. Gjenerali në pension. Andrei Gurulev, një anëtar i lartë i dhomës së ulët të parlamentit rus, mbështeti fuqimisht liderin çeçen, duke thënë se disfata ruse në Lyman ishte e rrënjosur në dëshirën e njerëzve të lartë për t’i raportuar Putinit vetëm lajme të mira.https://lajme.rtsh.al/artikull/problemet-ushtarake-te-rusise-ne-ukraine-dhe-skifteret-e-kremlinit

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments