Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Në këtë takim ata kanë diskutuar rreth projektit për ndërtimin e stadiumit të ri në kryeqytet. Ky takim kishte për qëllim koordinimin ndërinstitucional për ndërtimin e këtij stadiumi të rëndësishëm për futbollin kosovar dhe komunitetin e Prishtinës në përgjithësi. Presidenti Ademi dhe i pari i kryeqytetit u dakorduan për të bashkëpunuar në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për sportin kryeqytetas dhe jo vetëm. Stadiumi i ri, i cili do të ndërtohet në Bërnicë, do të jetë i kategorisë së katërt dhe do t’i plotësojë të gjitha standardet dhe kushtet e nevojshme për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, përkatësisht të ndeshjeve të ekipit kombëtar dhe klubeve në garat evropiane. Ky stadium gjithashtu do të jetë një vend i përshtatshëm për organizimin e aktiviteteve tjera sportive dhe eventeve të ndryshme. Ademi dhe Rama kanë rënë dakord që Federata e Futbollit e Kosovës të ketë përgjegjësinë për menaxhimin e stadiumit të ri, në të njëjtën mënyrë siç ndodh me stadiumin “Fadil Vokrri”. Ata diskutuan po ashtu edhe për mirëmbajtjen e stadiumit ekzistues, gjendjen e fushës dhe organizimin e ndeshjeve kombëtare dhe të ekipeve që garojnë në Evropë. Kryetari Rama ka shfaqur interesimin e tij për zhvillimin e sportit, veçanërisht futbollit, në kryeqytet, duke e parë atë si sportin më të popullarizuar në Kosovë. Të dy krerët e institucioneve janë zotuar që të krijojnë kushte sa më të mira për sportin në kryeqytet dhe të përkushtohen bashkërisht në organizimin sa më të mirë të klubeve të kryeqytetit. atsh