Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete bëri të ditur se thelbi i draftligjit për sigurimin e banesave për rastet e fatkeqësive natyrore është vendosja e një primi të përballueshëm për të gjitha familjet.
Mete në një deklaratë për shtyp pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave bëri të ditur se po rishikohet drafti në mënyrë që qeveria të marrë përsipër primin për ato familje që edhe sot mbështeten nga qeveria.
“Nuk është taksë, por prim bazik sigurimi që do të mundësojë mbrojtjen nga fatkeqësi natyrore, siç ishte rasti i tërmetit. Thelbi i tij është vendosja e një primi të përballueshëm, madje edhe për ato shtresa që edhe sot mbështeten nga qeveria. Do të rishikojmë draftligjin që primi të mbështetet nga qeveria dhe buxheti i shtetit”, deklaroi ai.
Drafti, shtoi ai, do të rishikohet në frymën e sjelljes së praktikave më të mira. Ai informoi se po diskutohet ngushtësisht me BB dhe ekspertë ku funksionojnë skema të tilla.
“Thelbi është të krijohet një fond, i cili përmes risigurimit transferon riskun nga vendi te kompanitë më të mëdha të risigurimit botërore në mënyrë që në rast të një ngjarje që konsiderohet katastrofë ne të mund të kemi një ndërhyrje të menjëhershme dhe të shpejtë nga modelet e sigurimit dhe risigurit që janë praktikat më të mira botërore”, deklaroi ai.
Kreu i financave publike theksoi se buxheti i shtetit ka financuar deri tani për procesin e rindërtimit, qoftë për rindërtimin qoftë për bonuset e qirasë një shumë prej 890 milionë eurosh.
“Në momentin që ngrihen skema të tilla, dhe ka praktika shumë të mira botërore që të jenë të përballueshme dhe të sigurojnë një mbrojtje, përmes një sigurimi bazik krijohet mundësia të transferohet risku dhe të operohet në mënyrë të shpejtë në rast të një ngjarjeje katastrofike”, u shpreh ministri.
Mete më tej shpjegoi se vlera do të detajohet me vendim të Këshillit të Ministrave, që t’i përgjigjet edhe natyrës së rrezikut që merret përsipër por edhe shtrirjes.
“Do të detajohet me vendim të Këshillit të Ministrave, që t’i përgjigjet edhe natyrës së rrezikut që merret përsipër por edhe shtrirjes. Sepse sa më e gjerë të jetë shtrirja mbulimi dhe pagesat aq më i furnizuar është fondi, aq më e ulët është pagesa. Thelbi do të jetë që të jetë pagese e përballueshme, në mënyrë që të sigurojë mbrojtjen po të jetë e përballueshme. Po bëjmë modele me BB-në që të jetë sa më e përballuar”, deklaroi ai.