Monday, November 25, 2024
HomeSHKENCA DHE JETA Prilli i 2024, muaji më i nxehtë në histori, i 11-të radhazi

 Prilli i 2024, muaji më i nxehtë në histori, i 11-të radhazi

Prilli i vitit 2024 ishte muaji i 11-të radhazi me temperatura globale që kane thyer rekordin, thanë shkencëtarët e BE-së. “Gjithashtu, ky ishte prilli i parë i regjistruar me një temperaturë mesatare globale mbi 15 gradë Celsius”, sipas të dhënave nga shërbimi i BE-së për ndryshimet klimatike “Copernicus”. Sipas shefit të “Copernicus”, Carlo Buontempo, përqendrimi në rritje i gazeve serrë do të vazhdojë të nxisë temperaturat globale drejt rekordeve të reja. “Temperatura e ajrit në sipërfaqe ishte mesatarisht 15,03 gradë Celsius në prill, 0,67 gradë Celsius më e lartë se mesatarja e prillit për vitet 1991 deri në 2020”, tha sot shërbimi. Në Evropë, prilli ishte 1,49 gradë Celsius më i ngrohtë se periudha e krahasueshme. Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), Evropa po nxehet më shpejt nga të gjitha kontinentet. “Krahasuar me periudhën nga 1850 deri në 1900, periudha e referencës para-industriale, muaji prill ishte 1,58 gradë Celsius më i ngrohtë globalisht”, sipas raportit. Temperatura mesatare globale nga maji i 2023 deri në prill 2024 është më e larta që nga fillimi i regjistrimeve dhe është 1,61 gradë Celsius mbi mesataren para-industriale. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se objektivi prej 1,5 gradë Celsius i Marrëveshjes së Parisit është humbur, pasi për këtë qëllim përdoren vlerat mesatare afatgjata. “Nëse trendi i temperaturës në 30 vitet e fundit vazhdon, kjo do të ndodhë në vitin 2033”, tha “Copernicus”. Shërbimi i BE-së publikon rregullisht të dhëna për temperaturën e sipërfaqes së Tokës, shtresën e akullit të detit dhe reshjet. Gjetjet bazohen në analizat e krijuara nga kompjuteri që përfshijnë miliarda matje nga satelitët, anijet, avionët dhe stacionet e motit në mbarë botën. Të dhënat e përdorura datojnë që nga viti 1950, me disa të dhëna të mëparshme të disponueshme gjithashtu.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments