Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar pakon e re për përballje me inflacion prej 150 milionë euro. Në këtë pako parashihet mbështetja e familjeve që kursejnë energji elektrike, mbështetje për punëtorët e sektorit publik, privat, pensionistët, studentët dhe familjen nën asistencë sociale. Kurti nisi konferencën me mbështetjen që ka bërë Qeveria për bizneset dhe qytetarët, derisa ka prezantuar pakon e re që ka për qëllim mbështetjen e qytetarëve për t’u përballur me krizën inflacionare. “Nisur nga gjendja e rënduar me energjinë, sot më shumë se kurrë është e domosdoshme të kursejmë, andaj do të subvencionojmë të gjithë ata që kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprakë, ne do të subvencionojmë dyfish faturën. Do të procedojmë në Qeveri, e pastaj në Kuvend për miratim projektligjin për punë publike, e cila parasheh kompensimin për inflacion për materialet ndërtimore dhe punët përcjellëse për kontratat ekzistuese të punës. Kjo me qëllim të përshpejtimit të dinamikës së implementimit të projekteve kapitale. Për pensionistët do të ndajmë shumë e njëhershme prej 100 euro, kurse familjet në asistencë sociale do t’i mbështesim duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj“, tha ai. Ai shtoi se punësimin dhe punëtorët i kanë prioritet, i kanë përkrahur dhe do të vazhdojnë kësisoj. “Për zyrtarët publik do të ndajmë shtesën prej 50 euro duke filluar nga muaji shtator. Kurse, për punëtorët e ndërmarrjeve publike do të ndajmë shumën e menjëhershme prej 100 eurove….do të mbështesim secilin biznes që i rrit pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50 përqind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë. E përkrahjen tonë do ta zgjerojmë edhe për studentët për të cilët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro në nëntor kur viti i ri akademik është duke u zhvilluar. Në muajt në vijim do të ndajmë rreth 150 milionë euro për pakon për përballje me inflacion, ku përmes masës së subvencionimit të energjisë do të përfitojnë të gjitha familjet rreth 300 mijë, kurse nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë. http://ata.gov.al/2022/09/03/kurti-prezanton-masat-per-perballje-me-inflacionin/