Premiera e operas “Atilla” e kompozitorit të famshëm italian Giuseppe Verdi, u mirëprit mbrëmjen e djeshme në Teatrin e Operës dhe Baletit në kryeqytet. Kjo opera përcolli për artdashësit që kishin mbushur sallën e TKOB mesazhe të ndjeshme të aktualitetit e modernitetit, për konfliktet e mëdha etike, luftërat civile dhe politike, si dhe përplasjen mes brezave. Në këtë shfaqje interpretuan solistët dhe kori i TKOB dhe orketra simfonike me dirigjent Jacopo Sipari di Pescasseroli, regjisore Ada Gurra, kostumografi Edlira Qyshka dhe dirigjent kori Dritan Lumshi. Solistë në vepër janë emra të njohur të skenës shqiptare dhe asaj të huaj si në rolin e Attila: Petar Naydenov; në rolin e Ezio: Armando Likaj, Evez Abdulla; në rolin e Odabella: Eva Golemi, Ramona Tullumani; në rolin e Foresto: Amadi Lagha; në rolin e Uldino: Matias Xhelil; Andi Istrefi dhe në rolin e Leone: Bledar Domi, ndërsa koncertmaestër janë Etrita Ibrahimi, Herta Cane dhe Thanas Paskali. Kjo opera, e cila u ngjit për herë të parë në skenën e TKOB, ka në qendër tragjedinë e shekullit të V të mbretit të Hunëve, Attilës, dhe rezistencën e popullit italian, me në krye guximtaren Odabella, ndjekur nga gjenerali Ezio dhe i dashuri i saj Foresto. Heroizmi i vajzës italiane, Odabellës, e cila me trimërinë e saj arrin të fusë në kurth pushtuesin barbar, duke u hakmarrë kështu ndaj vdekjes së të atit, bën që historia të shkruhet në favor të drejtësisë. Opera Attila” do të vijë për katër mbrëmje të tjera në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në datat 16 18 dhe 19 nëntor.