Filmi “Alexander” i regjisorit Ardit Sadiku, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në garën e çmimeve Oscar, u shfaq premierë në kinemanë Cineplexx të Tiranës para një publiku kineastësh dhe gazetarëve të kulturës. Filmi është dëshmia e një ngjarjeje tragjike, ndodhur ndërsa regjimi komunist ishte në grahmat e fundit. Protagonisti i filmit, Aleksandër Gruda, një mekanik i anijeve të flotës detare, rrëfen arratisjen nga Shqipëria komuniste së bashku me familjen dhe miqtë, gjithsej 18 persona, të cilët rrëmbyen një anije luftarake në liqenin e Shkodrës. Por rruga e tyre drejt lirisë nuk ishte e lehtë. Në përfundim të kësaj aventure, Aleksandri u gjet në udhëkryqin e jetës: T’i gëzohej lirisë apo të hidhërohej për humbjen e vajzës së vetme në tentativën për t’u arratisur. Rrëfimet e kësaj historie mbi përpjekjet ekstreme në kërkim të lirisë, regjisori Ardit Sadiku i ka xhiruar në tre kontinente: në Amerikën e Veriut, Europë dhe Australi, ku jetojnë protagonistët e ngjarjes.