Portreti i “Elisabeth Lederer” i realizuar nga Klimt u shit pas një lufte ofertash 20-minutëshe në Sotheby’s në Nju Jork.

Portreti 1,8 metra i lartë, i pikturuar gjatë tre viteve midis viteve 1914 dhe 1916, përshkruan vajzën e një prej familjeve më të pasura të Vjenës – të stolisur me një mantel perandori të Azisë Lindore.

Piktura shumëngjyrëshe përshkruan jetën luksoze të familjes Lederer përpara se Gjermania naziste të aneksonte Austrinë në vitin 1938.

“Nazistët plaçkitën koleksionin e artit të Lederer, duke lënë vetëm portretet e familjes, të cilat u konsideruan “shumë hebraike” për t’u vjedhur”, sipas Galerisë Kombëtare të Kanadasë, ku piktura ishte huazuar.

Në një përpjekje për të shpëtuar veten, Elisabeth Lederer shpiku një histori se Klimt -(i cili nuk ishte hebre dhe vdiq në vitin 1918) – ishte babai i saj.

Me ndihmën e ish-kunatit të saj, një zyrtar i lartë nazist, ajo i bindi nazistët t’i jepnin një dokument që deklaronte se ajo ishte e bija e Klimt. Kjo i lejoi asaj të qëndronte e sigurt në Vjenë deri sa vdiq nga një sëmundje në vitin 1944.

Portreti ishte pjesë e koleksionit të miliarderit Leonard A. Lauder, trashëgimtar i gjigantit të kozmetikës “The Estée Lauder Companies”.

Ai vdiq këtë vit në moshën 92-vjeçare, duke lënë pas një koleksion mbresëlënës me vlerë më shumë se 400 milionë dollarë.

Ankandi Sotheby’s nuk pranoi të ndante identitetin e blerësit të portretit.

Shitja e portretit “Elisabeth Lederer”, theu një rekord të mëparshëm të artit të shekullit XX – të arritur nga një portret i Marilyn Monroe – i realizuar nga Andy Warhol – i cili u shit për 195 milionë dollarë në vitin 2022.

“Pesë vepra të Klimt nga koleksioni i Lauder u shitën në ankand për një total prej 392 milionë dollarësh”, tha Sotheby’s.

Vepra të realizuara nga Vincent van Gogh, Henri Matisse dhe Edvard Munch ishin ndër më të shiturat.