Në Durrës po vijon normalisht veprimtaria përpunuese në katër terminalet portuale këtë fillimjavë.
Pas pezullimit të përkohshëm të operacioneve në Terminalin e Trageteve, si pasojë e motit të paqëndrueshëm që përfshiu rajonin e Adriatikut përgjatë fundjavës, puna në portin e Durrësit ka nisur normalisht.
Autoriteti Portual Durrës bëri sot të ditur se këtë të hënë janë në përpunim 6 anije tregtare me rreth 14.100 tonë mallra dhe 1.205 njësi kontejnerike.
Po ashtu 2 anije me 1.100 tonë mallra dhe 565 njësi kontejnerike janë në proces përpunimi, ndërsa 1 anije me 3.793 tonë mallra ndodhet në radën portuale.
Sipas Autoritetit Portual Durrës 3 anije me 9.194 tonë mallra dhe 640 njësi kontejnerike janë në pritje në orët në vijim.
Me vënien në funksion të sistemit operativ online Navis 4, ofrohet një standard i ri pune në fushën e përpunimit të kontejnerëve në portin e Durrësit.