Në thelb të vizionit të ri, qëndron “Porta e Alpeve”, një korridor i ri kulturor dhe turistik që synon ta shndërrojë Shkodrën në hyrjen kryesore të alpeve shqiptare. Projekti parashikon lidhjen e transportit të gjelbër me hapësirat publike dhe ofertën kulturore në një strukturë të integruar.

Vizioni kulturor për Shkodrën përfshin ngritjen e një rrjeti muzesh në trajtën e Museum Quarter, një pol i ri muzeor dhe kreativ që vendos kulturën në qendrën e zhvillimit urban, itinerare të gjelbra për këmbësorë dhe biçikleta, që lidhin monumentet, muzetë dhe hapësirat historike me njëra-tjetrën, si dhe rijetëzimi i muzeve dhe banesave historike, duke forcuar identitetin kulturor dhe duke krijuar hapësira të reja për publikun.

MTKS thotë se, kjo qasje e re synon të ruajë dhe t’i japë vlera trashëgimisë së pasur të Shkodrës, duke e shndërruar atë jo vetëm në një destinacion kulturor të nivelit të lartë, por edhe në një qendër të qëndrueshme zhvillimi për gjithë rajonin.