Vepra e Poradecit, e cila është një triptik që i këndon dashurisë, lirisë dhe liqenit të Ohrit, zë një vend të privilegjuar në letërsinë shqiptare. Tiparet e përveçme të penës së Lasgushit ishin vargëzimi dhe melodia e hollë, ndërsa tema e dashurisë ishte tema më e rrahur në mesin e mbi 100 poezive të tij që dallojnë për dikotomi mes fjalëve arkaike dhe eksperimenteve leksikore.
Lasgush Poradeci lindi në gjirin e familjes Gusho, më 27 dhjetor 1899 në Pogradec. U quajt Llazar, ndonëse do të arrinte përjetësinë në sajë të emrit të tij të penës. Në moshën 10-vjeçare ndoqi mësimet në Manastir dhe më pas u zhvendos në Athinë, ku mbaroi liceun. Në vitin 1921 iu drejtua Rumanisë për të vijuar me studimet e larta. Në Bukuresht, u përfshi në radhët e lëvizjes atdhetare të kolonisë shqiptare dhe iu besua detyra e sekretarit të përgjithshëm.
Në vitin 1933 u botua vëllimi i parë i poetit “Vallja e yjeve” dhe më 1937-n, u publikua vëllimi pasues “Ylli i zemrës”. Ndër të tjera, Poradeci shkroi poemat “Ekskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta” dhe “Kamadeva”.
Lasgush Poradeci përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, sikurse: “Eugjen Onjegini” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, poemat dhe lirikat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes, poezi të Lanaut, Brehtit, Hygoit etj.





