Polonia për herë të dytë, prej kur është bërë anëtare e Bashkimit Evropian, ka marrë përsipër Presidencën e BE-së, duke filluar nga dita e parë e vitit 2025. Ky vend merr kryesimin e radhës nga Hungaria, ndërsa pas gjashtë muajsh do t’ia dorëzojë këtë Danimarkës, e cila do të kryesojë me bllokun evropian në gjysmën e dytë të vitit.
Krahas prioriteteve tjera, sikurse siguria e bllokut evropian, ruajtja e kufijve të BE-së, energjia dhe migracioni, për Poloninë do të jetë prioritet edhe zgjerimi i Bashkimit Evropian. Këtë e kanë thënë shumë zyrtarë të lartë të Polonisë nëpër takime në të cilat i kanë shpalosur prioritetet e kryesimit të tyre gjashtëmujor.
Edhe Hungaria, e cila përmbylli kryesimin e saj në fund të vitit 2024, konsideron se ka arritur një sukses të konsiderueshëm në procesin e zgjerimit, gjë që e kanë pranuar edhe disa diplomatë të Bashkimit Evropian.
Në fund të Presidencës së saj, Hungaria arriti të ndërmjetësojë në Këshillin Evropian një pajtueshmëri për hapjen e disa kapitujve në negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, dhe mbylljen e disa kapitujve në negociatat e Malit të Zi për anëtarësim në BE.
Kjo u konsiderua si sukses dhe dëshmi se procesi i zgjerimit po hyn në një fazë më dinamike dhe se, nëse vendet kandidate do të shënojnë progres në përmbushjen e kritereve, do të ketë avancim konkret në këtë proces.
Përkundër përpjekjeve, Hungaria nuk arriti të sigurojë hapjen e një grup kapitulli në negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE, sepse me këtë nuk u pajtuan disa vende anëtare. Në procesin e zgjerimit vendimet për të hapur apo mbyllur kapituj miratohen vetëm me konsensusin e të gjitha 27 vendeve anëtare.
Në këtë proces të diskutimeve vendi që ka kryesimin e radhës e luan rolin e një ndërmjetësi të sinqertë dhe të paanshëm.
Tash pritet që Polonia të vazhdojë aty ku kanë mbetur disa dosje nga Hungaria, përfshirë edhe hapjen e kapitujve me Serbinë. Këtë e kishte premtuar edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk gjatë një vizite në Beograd në vjeshtën e vitit të shkuar.