Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIPolitika monetare ndikim të rëndësishëm në zbutjen e inflacionit

Politika monetare ndikim të rëndësishëm në zbutjen e inflacionit

“Viti 2022 u karakterizua nga rritja e shpejtë e inflacionit, diktuar nga rritja e çmimeve në tregjet botërore pas konfliktit ushtarak në Ukrainë. Megjithatë, ekonomia shqiptare tregoi një rezistencë të mirë ndaj kësaj goditjeje. Ecuria e inflacionit mbeti nën kontroll, vëllimi i aktivitetit ekonomik, niveli i punësimit dhe pagat vijuan të rriten, ndërsa treguesit kryesorë të stabilitetit financiar mbetën solide”. Kështu deklaroi sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, teksa theksoi se, “stabiliteti i çmimeve është një ndër prioritetet e Bankës Qendrore dhe politika monetare dha ndikim të rëndësishëm në zbutjen e nivelit të inflacionit. Sipas tij, BSH-ja, rriti normën bazë 5 herë gjatë vitit, nga niveli 0.5 % në fillim të vitit, në nivelin 2.75% në fund të tij, me qëllim kthimin e inflacionit në objektiv në afatin e mesëm. Gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të BSH-së për vitin 2022, në seancën plenare të Kuvendit, Guvernatori, evidentoi sfidën aktuale me të cilën po përballet ekonomia shqiptare, si pasojë e rritjes së çmimeve në tregjet botërore. Sejko bëri të ditur se, “BSH ka mbikëqyrur me kujdes për të parandaluar akumulimin e rreziqeve për sistemin bankar, që është i mirëkapitalizuar dhe mbështet ekonominë me financim. Aktiviteti ekonomik u rrit me mesatarisht 4.2 % gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2022, pas rritjes me 8.5 % në vitin 2021. Konsumi privat regjistroi normën më të lartë të dhjetë viteve të fundit dhe dha mbështetjen kryesore në rritjen ekonomike. Investimet vijuan të japin kontribut pozitiv gjatë vitit 2022 dhe deficiti buxhetor u vlerësua në rreth 3.6 % të PBB-së në vitin 2022, nga 4.5 % një vit më parë”. Guvernatori tha se, inflacioni mesatar i vitit 2022 rezultoi në nivelin 6.7 %, nga 2.0 % një vit më parë. Ndërsa presionet e huaja u transmetuan në rritje të kostove të prodhimit dhe të pritjeve për inflacionin në vend. Në këtë kontekst të ri ekonomik, vijoi ai, BSH rriti normën bazë të interesit me qëllim frenimin e presioneve të larta inflacioniste dhe kthimin e inflacionit në objektiv. Sejko theksoi se, tregu valutor u karakterizua nga një ecuri mbiçmuese e lekut kundrejt euros, në përgjigje të përmirësimit të pozicionit të jashtëm të vendit. Flukset e kredisë vijuan të rriten dhe të financojnë aktivitetin e sektorit privat. Vëllimi i kredisë për këtë sektor u rrit mesatarisht me 12.3 % në vitin 2022, nga 9.8 % një vit më parë, ndërsa cilësia e portofolit të kredisë u përmirësua dhe treguesi i kredive me probleme ra në nivelin 5.0% në muajin dhjetor, norma më e ulët e dekadës së fundit. Guvernatori i BSH-së, deklaroi se, “perspektiva ekonomike e vendit është pozitive. Rënia e inflacionit gjatë dy muajve të parë të vitit 2023 sinjalizon se ai ka shënuar një pikë kthese, e cila pritet të vazhdojë. Parashikimet e BSH-së tregojnë se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2024”. Sejko tha se, rritja ekonomike do të vijojë të pasqyrohet në rritje të mëtejshme pagash e punësimi çka do të ndihmojë familjet shqiptare të amortizojnë goditjen e çmimeve. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments