Policia e Kosovës ka nisur hetimet për posterët që janë vendosur në veri të Kosovës – në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut – natën mes së shtunës dhe së dielës, në të cilat shihet fotografia e Milan Radoiçiqit me mesazhin “ Kthehu në Kosovë, vëlla – serbët nuk mund të vuajnë më”. Fillimin e hetimeve e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani. Milan Radoiçiqi ishte nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, por dha dorëheqjen pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj policisë në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra një polic. Policia ka bërë të ditur se “persona të panjohur kanë vendosur posterë në muret dhe dritaret e objekteve, si dhe shtyllat elektrike”, dhe se rasti është duke u hetuar. Kësaj i ka paraprirë ngjitja e afisheve në Leposaviq, me foton e Radoiçiqit me gjak në fytyrë dhe mesazhin “Kush është Radoiçiq? Një patriot i rremë. I dyshuar për vrasje të shumta të serbëve në Kosovë. Pronari i një laboratori droge. Një kriminel që abuzoi me rininë tonë për pasurimin e tij. Terrorist”. Në fund të afisheve shkruhej “Thuaj JO organizatës terroriste (Lista Serbe)”.
Policia nis hetimet për posterët në veri të Kosovës
RELATED ARTICLES