Për të garantuar saktësinë dhe zbatimin rigoroz të ligjit, ekipet e policisë kanë përdorur pajisje të certifikuara për matjen e zhurmës, duke ndjekur procedura të standardizuara.
Këto veprime bazohen në kuadrin të Ligjit “Për administrimin e zhurmës në mjedis” dhe në udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Turizmit, të datës 15 nëntor 2023.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, nga verifikimet e kryera deri më tani, të gjitha subjektet e kontrolluara kanë rezultuar në përputhje me normat e lejuara të zhurmës. Gjithashtu, është konstatuar respektimi i fashës orare të lejuar për transmetimin e muzikës në ambiente të jashtme, e cila është e përcaktuar nga ora 11:00 deri në orën 24:00.
Policia e Lezhës bën me dije se këto kontrolle nuk do të jenë sporadike, por do të vijojnë me intensitet të lartë gjatë gjithë sezonit turistik në të gjithë territorin e qarkut.
Policia fton qytetarët dhe pushuesit të bëhen partnerë në këtë përpjekje, duke denoncuar çdo rast të shkeljes së ligjit apo ndotjes akustike, me garancinë për një reagim të menjëhershëm, profesional dhe të vendosur nga strukturat policore.