Policia e Durrësit, kontrolle në terren për matjen e ndotjes akustike

0
5

Policia ka ngritur disa grupe kontrolli në terren për matjet e nivelit të zhurmave në zonat turistike të Durrësit.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se në vijim të masave sensibilizuese, janë organizuar disa takime informuese me persona fizikë, të cilët në veprimtaritë e tyre gjenerojnë zhurma nga muzika, kryesisht në zonat turistike.

Sipas Policisë, në zbatim të detyrave të parashikuara në Planin e Masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror. Strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, gjatë ditëve të fundit, sipas hartëzimit të zonave me ndotje akustike, kanë organizuar grupe kontrolli në terren.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, janë testuar me matës të zhurmës disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zonat turistike të Durrësit, për verifikimin e respektimit të nivelit kufi të lejuar të zhurmës.

Policia e Durrësit mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët.

Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje, duke iu garantuar ndërhyrje të menjëhershme ligjore.