Pogradeci po rikthen në jetë varietetet autoktone të rrushit si Muskat Kanell, Gëms dhe veçanërisht Serina e Bardhë, falë projektit Typic-al, një program i financuar nga Qeveria Italiane përmes Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), i zbatuar nga CIHEAM Bari në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ky projekt përfaqëson një shembull të bashkëpunimit të suksesshëm midis institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë. Bashkëpunimi Italian, CIHEAM Bari dhe Ministria e Bujqësisë riafirmojnë përkushtimin për të mbështetur fermerët e Pogradecit, për të ruajtur biodiversitetin dhe për të zhvilluar një bujqësi më të qëndrueshme dhe konkurruese.
Në këtë kuadër, krijimi i SHBB Grabovicë dhe bashkimi i fermerëve vlerësohet si një hap i parë i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve të prodhuesve lokalë. Sipas përfaqësuesve të projektit, vetëm përmes bashkëpunimit fermerët mund të përfitojnë më shumë nga programet e BE-së dhe projektet e mbështetura nga qeveria shqiptare.





