Më 11 korrik 1930 ndërroi jetë dramaturgu e atdhetari, Andon Zako Çajupi. Emri i vërtetë ishte Andon Çako, ndonëse identifikohet gjerësisht si “Çajupi”. Me këtë emër mundi të mbartte në krijimtarinë e tij gjurmë të vendlindjes, Zagorisë, ku gjendet mali prej nga derivon pseudonimi i tij letrar. Pas shkollimit bazë, do ta linte Zagorinë për t’iu bashkuar të atit, Harito Çakos, veprimtar në lëvizjen atdhetare. Atje do të ndiqte një kolegj francez, prej të cilit kultivoi njohuri të larmishme. I pajisur me botëkuptim europian, do t’i drejtohej Gjenevës, ku në vitet 1887-1893, kreu studimet për drejtësi. Më tej, u vendos në Kajro dhe nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Do të hiqte dorë nga kjo detyrë për t’iu përkushtuar lëvizjes patriotike të shqiptarëve të ngulimeve të Egjiptit. U bë figurë protagoniste e shoqërisë atdhetare e kulturore të atjeshme, përmes përpjekjeve për të siguruar mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) që përfshin edhe komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, veçohet si vepra e tij kryesore. Përshtati në shqip “Përrallat e La Fontenit” (1921), “Lulet e Hindit” (1922), një sërë vjershash të letërsisë sanskrishte. Pena e tij u vlerësua edhe në rrafshin e publicistikës të kohës, sidomos me pamfletin “Klubi i Selanikut” (1909). atsh