Shëngjini, po kthehet një nga destinacionet e pëlqyera për turizëm gjatë gjithë vitit dhe këtë e dëshmojnë edhe fotot e fundit nga bashkia e Lezhës.

Lezha ofron për turistët mundësinë të shijojnë jo vetëm bregdetin, por edhe historinë, natyrën si dhe kulinarinë e pasur të zonës, duke e bërë një destinacion për turizëm gjithëvjetor. Turistët kanë mundësi zgjedhjeje të larmishme në Lezhë, pasi janë të shumta aktivitetet ditore.

Vizitorët mund të zgjedhin peshkim në det apo në grykëderdhjen e lumit Drin, vrojtim shpendësh në lagunat e Kunes e Vainit. Për vizitorët janë ndërtuar tri kulla vrojtimi, një në Kune dhe dy në zonën e Vainit. Ato shërbejnë për të eksploruar zonën si dhe për të vrojtuar shpendët e shumtë.

Të eksplorosh lagunat e Kunes dhe Vainit për biodiversitetin e tyre, natyrën tërheqëse e çlodhëse është mundësi e mirë edhe për piknik, apo për të shijuar kuzhinën e zonës.

Turistët mund të udhëtojnë me skafe drejt “Ranës së Hedhun” për të parë një eksperiencë ndryshe të një prej plazheve më të bukur shqiptarë.