Velipoja me plazhet e saj është një ndër më të preferuarat për pushuesit vendas e të huaj këtë sezon turistik. Në juglindje të Velipojës, shtrihet një fshat i bukur dhe kryesisht i panjohur, Boks-Rrjoll, i cili së bashku me plazhin e tij të virgjër me ujëra të kristalta dhe rërë të mbushur me jod, e bëjnë këtë zonë të adhurueshme. Plazhi i Rrjollit ka një shtrirje prej 4 km në një zonë me pyll e duna të vogla rëre. Plazhi i “strukur”, deri para pak kohëve i shfrytëzuar vetëm nga banorët e këtij fshati, vitet e fundit është kthyer në përzgjedhje të mirëfilltë të pushuesve.