Ky plazh ndodhet poshtë Kalasë së Himarës, duke ofruar një kombinim të mrekullueshëm të historisë dhe natyrës.
Me një shtrirje prej rreth 1,2 kilometra dhe një gjerësi prej 100 metrash, me rërë të pastër dhe të mineralizuar, plazhi i Livadhit tërheq çdo vit vizitorë të shumtë, sidomos të huaj.
Ai ofron një qetësi jo të zakontë, gjë e cila është një nga kriteret kryesore që kanë pushuesit, dhe sidomos familjarët në përzgjedhjen e destinacioneve turistike gjatë sezonit veror.
Vendi është i përshtatshëm për t’u larë në thellësi dhe për hedhje nga shkëmbinjtë.
Plazhi i Livadhit ofron të gjitha shërbimet e nevojshme për pushime relaksuese, me një larmishmëri hotelesh, lokalesh, restorantesh të çdo lloj portofoli. Ai është i përshtatshëm për çdo tipologji turistësh, vendas e të huaj.
Po në veçanti vizitorët e huaj duket sikur janë magjepsur nga ky plazh, për shkak të ujit të pastër dhe mundësisë që jep natyra për të eksploruar.