Plazhi i Darzezës, 20 kilometra nga qyteti i Fierit, po frekuentohet gjithnjë e më shumë nga pushues vendas, por edhe të huaj.
Me një brez të gjerë rërë dhe ujë të pastër, Darzeza ka një sipërfaqe prej 13,7 km2.
Pushuesit zgjedhin të frekuentojnë këtë plazh për shkak të bukurisë, por kryesisht edhe për pastërtinë që ofron. Plazhi i Darzezës në Fier nuk shquhet vetëm për rërën kurative, ai është i gërshetuar mirë me ujin e pastër dhe pyllin shekullor.
Kjo pjesë e Adriatikut shoqërohet edhe me valët e forta të detit, duke ofruar për të apasionuarit e kitesurfing (rrëshqitje në valët e detit), windsurf, wakeboard, si dhe sporte të tjera.
Bregdeti i Darzezës është i vetmi në Ballkan ku era krijon dallgë, të cilat janë të favorshme për ushtrimin e këtyre sporteve të veçanta.
Në fundjavë ky plazh është destinacioni i qytetarëve fierakë e jo vetëm. Rëra këtu është e imët dhe plot jod, mbrëmjet të freskëta dhe mbresëlënëse.