Kjo platformë ofron: Përcaktimin e kulturës më të përshtatshme për çdo zonë; Rritjen e efektivitetit të inputeve bujqësore, uljen e kostove dhe mbrojtjen e mjedisit; Zbatimin e teknologjive të avancuara për prodhim më të lartë dhe cilësi të qëndrueshme.
“Ky sistem ndihmon fermerët të njohin më mirë tokën e tyre dhe të marrin vendime të informuara për mbjellje, plehërim, punim dhe mbrojtje, duke garantuar zhvillim të qëndrueshëm dhe fitim të lartë ekonomik”, u shpreh ministrja Denaj në rrjetet sociale.
Regjistrat e tokës bujqësore në vend janë digjitalizuar në masën 60%, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. MBZHR bën të ditur se, paralelisht me regjistrimin është krijuar Sistemi i Informacionit për Tokën për të paktën 448 541 ha, ose 65.2% të totalit të tokës bujqësore në shkallë vendi. Programi “Menaxhimi i Qëndrueshëm i Tokës” ka si synim edhe digjitalizimin. Gjatë vitit 2023 janë digjitalizuar rreth 15 000 ha tokë bujqësore në njësitë administrative Qukës të qarkut Elbasan, Hekal të qarkut Fier, Fajzë të Qarkut të Kukësit, Helmës të Qarkut të Tiranës, Blinisht dhe Zejmen të Qarkut të Lezhës.
Sipas raportit të MBZHR-së, në përfundim të fazave të regjistrim-digjitalizimit janë kryer: Inventarizimi dhe klasifikimi i tokave bujqësore sipas përshtatshmërisë së saj; Mbledhja e informacionit për përdorimin/mbulesë tokësore për vitin që është kryer regjistrimi fillestar dhe 2023 si dhe analizimi i dinamikës së ndryshimeve në përdorimin e tokës bazuar te parcela; Studimi agro-ekologjik i zonave në studim; Digjitalizimi i regjistrit të tokës bujqësore për 4 njësi administrative; Krijimi i programit WEB-GIS për të dhënat e tokës.