Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTUREPlani i Menaxhimit të Integruar për Butrintin

Plani i Menaxhimit të Integruar për Butrintin

I ndodhur në jug të vendit, gati 20 kilometra nga qyteti modern i Sarandës dhe me pamje drejt Kanalit të Korfuzit, Butrinti është siti më i rëndësishëm arkeologjik dhe atraksioni më i njohur kulturor i Shqipërisë. Butrinti të ofron një ndjesi të jashtëzakonshme hapësire, rezonance kulturore dhe bukurie pamore, që krijohet nga kombinimi i rrallë i monumenteve me mjedisin natyror të paprekur dhe mbresëlënës. Parku Kombëtar me shtrirje të gjerë është i pasur me kodra, liqene, këneta, moçale uji të kripur, ultësira, kallamishte dhe ishuj bregdetarë. I njohur në mijëvjeçarë si një vend frymëzues, Butrinti lavdërohet tek Eneida e Virgjilit dhe te Letrat e Ciceronit për Atikun. Ndër objektet më të spikatura të sitit janë një teatër i lashtë epirot, një forum romak dhe një pagëzimore e hershme bizantine me një dysheme mozaiku të ruajtur mirë, si dhe monumente të tjera nga periudhat Helenike, Romane, Bizantine, Anzhuine, Venedikase, dhe Otomane. Zona është trefish e dalluar si Sit i Trashëgimisë Botërore, Park Kombëtar dhe Sit Ramsar. Qendra e re e vizitorëve, që pritet të ketë neutralitet karboni, parashikohet të ndihmojë në mënyrë thelbësore për menaxhimin e numrave në rritje të vizitorëve, që mendohen të arrijnë 400,000 deri në 2030-n. Qendra e re, mbi 1000 metra katrore, duhet të presë dhe orientojë vizitorët, të japë shpjegime për sitin, të përcjellë vlerat e jashtëzakonshme universale të një siti të Trashëgimisë Botërore dhe të jetë porta e Parkut të madh Kombëtar si dhe qendra rajonale për vizitorët për atraksionet e tjera kulturore dhe natyrore në afërsi. Qendra do të jetë rreth 1.5 kilometra nga hyrja për në qytetin antik, në një vendndodhje të mahnitshme me pamje panoramike nga Kanali i Vivarit. Financimi fillestar i projektit, prej 2.45 milionë USD, është siguruar tashmë dhe projekti ka një kalendar të përshpejtuar: ndërtesa e përfunduar pritet të jetë gati për përdorim në shtator të 2025-s. Në korrik të vitit 2020, qeveria shqiptare miratoi një Plan Menaxhimi të Integruar për të mbrojtur zonën dhe për të promovuar turizmin e qëndrueshëm me bazë komuniteti dhe të ndjeshëm ndaj mjedisit. Plani çoi në krijimin e një organi të ri autonom për mbikëqyrjen e zonës, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, i drejtuar nga Ministria e Kulturës. Parku Kombëtar i Butrintit zë një sipërfaqe totale prej 8622 hektarësh dhe mbulon një sipërfaqe me bukuri të jashtëzakonshme natyrore. Mbi 1200 lloje të ndryshme të kafshëve dhe bimëve janë regjistruar, dhe metodat tradicionale të bujqësisë mbizotërojnë ende, duke e rikthyer vëzhguesin në një mënyrë jetese të harruar prej kohësh në pjesën më të madhe të Evropës. Më 22 korrik 2020, Qeveria Shqiptare miratoi Planin e Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit (2020-2030). Plani u hartua në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit (si bashkëpropozues) dhe ministritë e tjera të linjës, krahas institucioneve partnere si Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM ose AdZM), Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Instituti i Arkeologjisë, Universiteti i Tiranës, AdZM Vlorë, Porti i Sarandës, agjencitë dhe guidat turistike, institucionet e vetëqeverisjes vendore dhe përfaqësues të komunitetit lokal. Nëpërmjet Planit të Menaxhimit të Integruar, Parku Kombëtar i Butrintit do të njihet si një lider global në menaxhimin e qëndrueshëm të vendeve të përziera kulturore dhe natyrore, duke u bërë qendra e një oferte turistike rajonale, duke ofruar një eksperiencë unike për vizitorët dhe duke përfshirë komunitetet lokale dhe institucionet kombëtare, që të shërbejnë si model për parqet e tjera kombëtare dhe objektet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Si i pari i këtij lloji, plani mbështet strategjitë e qeverisë shqiptare për zhvillimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, dhe është në përputhje me Agjendën e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030, dhe rekomandimet e Vendimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, dhe organeve këshillimore të Qendrës së Trashëgimisë Botërore/UNESCO. Në terma afatgjatë, ky dokument synon të përcaktojë një qasje të re ndaj vendeve të trashëgimisë në vend, duke trajtuar çështje që lidhen me vendimmarrjen midis organeve të qeverisjes vendore dhe kombëtare, zhvillimin e qëndrueshëm, rritjen e turizmit kulturor, zhvillimin e kapaciteteve menaxheriale dhe një qasje me në qendër komunitetin lokal. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments