Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, thotë se plani franko-gjerman është një bazë e mirë për të shtyrë përpara procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Krasniqi, në një intervistë për KosovaPress, thotë se ky plan krijon një realitet të ri që i mundëson Kosovës ecjen përpara nga status-quo-ja ekzistuese. “Elementet e planit na janë thënë dhe komunikuar edhe në takime të tjera të mëhershme me miqtë ndërkombëtarë. Normalisht është një plan si i tillë vështirë që të pranohet apriori, por është një bazë e cila krijon një mundësi për të negociuar dhe diskutuar. Krijon një mundësi, ndoshta një realitet të ri, që i mundëson Kosovës ecjen përpara nga status-quo-ja ekzistuese. Andaj nuk mund të thuhet se është i lehtë që të pranohet si i tillë, por meqenëse nuk ka një qasje ‘merre ose leje’, ne duhet si shtet dhe institucione që të shprehim gatishmëri për të trajtuar seriozisht, diskutuar me partnerët ndërkombëtarë dhe për t’u orvatur në arritjen e një dakordimi të një teksti që vërtet ka bazë elementet kryesore të objektivave tona shtetërore”, thotë ai. Lidhur me zhvillimet në veri, lideri opozitar thotë se Qeveria dhe institucionet e Kosovës janë në të drejtën e vet kur kërkojnë zbatimin e vendimeve legjitime dhe kushtetuese. Mirëpo shton se në raste të tilla duhet të ketë parasysh kostot dhe benefitet e këtyre vendimeve. Sipas tij, kosto e vendimit për targat ilegale është më e madhe se sa benefitet e tij. Në këtë formë, ai thotë se po shërbehet komplet procesi i integrimit të komunitetit serb në veri. “Është në drejtën e vet Qeveria dhe institucionet e Kosovës kur kërkojnë zbatimin e vendimeve legjitime. Ne e kemi mbështetur dhe mbështesim Qeverinë në këto veprime legjitime dhe kushtetuese. Por gjithmonë në situata të tilla duhet të kenë parasysh kostot dhe benefitet. Pasi mund të kemi benefite, por mund të kemi një kosto të madhe. Sot po e shohim se është duke u shpërbërë komplet procesi i integrimit të komunitetit serb në pjesën veriore të vendit, si pasojë e çështjes së targave. Kërkesa e partnerë amerikanë për shtyrje 10 mujore nuk është kërkesë për të hequr dorë nga sovraniteti nga të drejtat tona legjitime dhe kushtetuese, është kërkesë për t’i dhënë mundësi procesit të dialogut dhe diskutimit të planin franko-gjerman që mund të jetë një bazë e mirë për të shtyrë përpara procesin e dialogut dhe pasur një qasje të re e cila padyshim duhet të ketë një bazament arritjen e qëllimeve shtetërore të vendit tonë”, deklaron Krasniqi. Ai shton se kërkesat e SHBA-së dhe aleatëve të tjerë ndërkombëtarë duhet të trajtohen seriozisht nga Qeveria e Kosovës, për çka thekson se nga takimi i fundit me kryeministrin Kurti nuk ka dal me ndonjë siguri se e di se në çfarë rruge ka hyrë dhe si do të dalë nga e njëjta shefi i ekzekutivit. “Nuk mund të them se kam dal me ndonjë siguri se kryeministri e di se çfarë rruge ka hyrë dhe si do të dal nga ajo. Është tepër e rëndësishme që në këtë raport konsultimet me ShBA-në, por edhe partnerët e tjerë të Kosovës të trajtohen seriozisht dhe të merren parasysh për të mundësuar një kthim në normalitet, pasi aty nuk ka normalitet”, thekson Krasniqi. Ai kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndryshojë qasjen në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që mos të ketë përkeqësim të këtyre raporteve tutje. “Të gjithë ne, por Qeveria në radhë të parë, institucionet, duke përfshirë edhe presidenten duhet të trajtojnë raportin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës shumë më seriozisht sesa kaq. E kam thënë disa herë se raportet me partnerët kryesorë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të veçantë, nuk mund të jenë taktike. Nuk mund të bëhen taktizime në këto raporte, pasi ato duhet të jenë strategjike dhe të sinqerta. Andaj shpresoj shumë se qasja dhe serioziteti nga ana e Qeverisë në raport me SHBA-në të ndryshojë shpejtë dhe mos të ketë përkeqësim të këtyre raporteve më tutje. Vërtet nuk jam ndjerë fare mirë si qytetar para se gjithash, kur kam parë publikisht se ministrat e Qeverisë dhe njerëzit e pushtetit janë sanksionuar nga SHBA duke iu anuluar vizitat e tyre të planifikuara”, përfundon Krasniqi. Situata në veri të vendit mori një kthesë të papritur më 5 nëntor kur serbët, në shumë raste edhe të detyruar nga Lista Serbe e kontrolluar nga Beogradi, u larguan nga institucionet e Republikës së Kosovës. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkuan rikthimin e serbëve në institucione ndërsa Qeverisë së Kosovës që të shtyjë plotësisht vendimin për regjistrimin e automjeteve me targa RKS për qytetarët serbë që nuk e kanë bërë një gjë të tillë.https://ata.gov.al/2022/11/12/krasniqi-per-planin-franko-gjerman-baze-e-mire-per-te-shtyre-perpara-procesin-e-dialogut/
Plani Franko-Gjerman: Bazë e mirë për të shtyrë përpara procesin
RELATED ARTICLES