Një buxhet special prej 100 miliardë eurosh për të përmirësuar pajisjet e ushtrisë gjermane nuk mjafton”, theksoi ministri i ri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius për gazetën Süddeutsche Zeitung. Pistorius, i cili ka rreth një javë në detyrë, u ankua gjithashtu për mungesën e lidhjes mes ushtrisë dhe shoqërisë dhe tha se gjërat ishin ndryshe kur Gjermania kishte shërbimin e detyrueshëm ushtarak, i cili u hoq në vitin 2011. “Me çdo sistem të ri kemi edhe kosto të reja mirëmbajtjeje. Pra, me çdo pajisje të re ka kosto të reja dhe më të larta funksionimi”, theksoi ministri në një intervistë. I pyetur nëse buxheti i rregullt prej rreth 50 miliardë euro në vit mund të mbetet, Pistorius u përgjigj: “Unë nuk supozoj se do të mjaftojë.” Qeveria gjermane ka miratuar një të ashtuquajtur fond special në shumën prej 100 miliardë eurosh për të pajisur më mirë Bundeswehr-in në ditët pas sulmit rus në Ukrainë. ATSH