Ambasada hungareze në Tiranë dhe Fondacioni “Mbretëresha Geraldinë” i dhuruan një vepër arti maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.

Piktura është realizuar nga artistja hungareze e artit abstrakt Anna Konya, e cila jeton aktualisht në Shqipëri. Piktura nderon trashëgiminë e mirësisë dhe forcës së mbretëreshës, ndërkohë që prania e veprave të artit nëpër spitale sjell ngushëllim dhe një atmosferë më të lehtë.

Në 110-vjetorin e lindjes së mbretëreshës Geraldinë, fëmijët e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, u ftuan të nderojnë kujtimin e saj përmes një konkursi vizatimi. Trashëgimtari i familjes mbretërore, princ Leka II ndau dhe çmimet e fituara nga fëmijët.

Frymëzuar nga eleganca, mirësia dhe forca e saj e qetë, të simbolizuara nga trëndafili i bardhë, aktiviteti vuri në pah dhe rolin e saj të veçantë në kujtesën e kombit.