Nën kujdesin e piktorit të njohur Helidon Haliti, artistët kanë qëndruar në Kolonjë për 4 ditë, duke pikturuar në vende të ndryshme, punime të cilat i kanë sjellë në ekspozitën përmbyllëse të kolonisë. “Kemi artistë që kanë ardhur nga Peruja e largët, Kanadaja, Turqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe sigurisht artistët tanë shqiptarë të cilët në fakt këtu, sapo shënuan në njëfarë mënyre një lloj historie, sepse gjetën kiminë e njëri-tjetrit dhe jo vetëm atë koloristike, pikturistike, por dhe gjuhën e një lloj filozofie e cila në fakt bashkon brezat”, deklaroi Haliti. Artistët pjesëmarrës kanë vlerësuar së tepërmi peizazhet e Kolonjës, ndaj për këtë sipas tyre, ardhja e kaq shumë piktorëve të njohur është një promovim i natyrës. “Vendin tuaj e ka bekuar Zoti, është i mrekullueshëm dhe këto takime që bëjmë ne janë të rëndësishme sepse na bëjnë të njohim një Shqipëri e cila shpesh na ikën nga e përditshmja, e përditshmja ka ngarkesat e veta”, shprehet Fatmir Juka, piktor. “Është hera e parë që vij në Shqipëri, vend fantastik, po kënaqem shumë këtu. Njoha shumë artistë të mirë dhe të talentuar, mbi të gjitha bashkëpunues. Këtu u tërhoqa nga fusha e Kolonjës dhe po e shijoj në mënyrën time”, shprehet Jorge Corpuna, piktor. Grupi i piktorëve të huaj dhe shqiptar pjesë e shoqatës ndërkombëtare të akurelistëve nën udhëheqjen e piktorit Helidon Haliti kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh gjatë muajit maj duke shëtitur në vendet më të bukura të Shqipërisë me qëllim promovimin e tyre.
Piktorë nga e gjithë bota, në Kolonjë për të promovuar destinacionet turistike
RELATED ARTICLES