Qeveria italiane mbrojti sot vendimin e saj për të mos lejuar zbarkimin e migrantëve nga tre anije shpëtimi joqeveritare të ankoruara në Katania. Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi tha në një fjalim në parlament se tre anijet që i përkisnin organizatave ndërkombëtare të ndihmës nuk kishin zbatuar rregullat. “Si rezultat, ka patur konflikte me autoritetet, pakënaqësi dhe zemërim në bord, madje edhe mosmarrëveshje diplomatike”, tha ai. Ai akuzoi anijet e shpëtimit për motivimin e migrantëve dhe mbështetjen e trafikantëve. Dy nga anijet “Humanity 1” e grupit gjerman “SOS Humanity” dhe “Geo Barents” e frupit “Doctors without Borders” lundruan në portin e Katanias në Siçili javën e kaluar me rreth 750 migrantë, ku u lejuan të zbarkonin të gjithë të shpëtuarit, pas një vonese prej disa ditësh. “Ocean Viking”, nga organizata “SOS Méditerranée”, nuk iu dha leja për të hyrë në ujërat italiane dhe lundroi për në Francën jugore. Kjo çoi në një mosmarrëveshje të rëndë midis Romës dhe Parisit. Piantedosi akuzoi grupet se nuk i koordinonin operacionet e tyre në Mesdhe me qeveritë kombëtare. Ai tha gjithashtu se nuk ishin vetë anijet ato që mund të aplikonin zyrtarisht për caktimin e një porti, por shtetet si Gjermania në rastin e “Humanity 1” dhe Norvegjia në rastin e “Geo Barents”. Ministri i Brendshëm pretendoi se anijet ishin të pajisura mirë dhe se nuk kishin nevojë të nxirrnin migrantët në breg urgjentisht. Shpëtimtarët civilë, organizatat ndërkombëtare dhe vende të tjera i kishin kërkuar Italisë që të lejonte të gjithë migrantët e shpëtuar nga anijet të dilnin në breg sa më shpejt të ishte e mundur. Rasti i “Ocean Viking” çoi në kritika të rënda ndaj Italisë nga politikanë të lartë në Francë. Megjithatë, Piantedosi u mbrojt kundër akuzave duke thënë se anijes i ishte ndaluar hyrja në Itali. “Ocean Viking” kishte aplikuar në shtatë shtete të BE-së për caktimin e një porti, dhe më pas ishte kthyer nga Franca pa një urdher zyrtar”, tha ai. Ministri tha gjithashtu se ligji i detit nuk e përcakton qartë nëse një anije me refugjatë mund të hyjë gjithmonë në portin më të afërt, pavarësisht nga pretendimet e organizatave të ndihmës.https://ata.gov.al/2022/11/16/itali-piantedosi-anijet-e-shpetimit-nuk-zbatuan-rregullat/