“Pianodrom” sjell , Pascal Gallet

0
3

Festivali Ndërkombëtar “Pianodrom”, i organizuar edhe këtë vit për artdashësit nga kompozitori i njohur Aleksandër Peçi, sjell në Tiranë recitalin e një prej pianistëve më të mirë aktualisht, Pascal Gallet. Koncerti në kuadër të festivalit do të mbahet më 21 nëntor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Bëhet fjalë për një recital me pjesë të zgjedhura, ku veçohet sonata “Tocco del Anima” e kompozitorit Peçi, i cili e ka shkruar atë posaçërisht për koncertin në fjalë të pianistit me famë ndërkombëtare. Gallet vjen në Tiranë pas një turneu të suksesshëm në Shangai dhe qytete të tjera të Kinës. Recitali pritet të sjellë atmosferë emociuese edhe për vetë repertorin që pritet të luhet nga pianisti nga Franca. Pianisti në dedikimin që i bën koncertit shprehet se sonata “Tocco del Anima” e kompozitorit Peçi e frymëzon si një vepër e arrirë. Por, koncerti do të ketë edhe vepra të tjera të muzikës elitare e me supervlera të metafizikës së shpirtit. Disa autorë që do të luhen janë Liszt, Rahmaninov, Messiaen, Jolivet, Cosma, Bumki Kim. Pianodromi i sivjetshëm parasheh të luhen 16 sonata premierë botërore. Pianodrom vjen për publikun me aktivitete të shtrira në disa data për të mbledhur sa më shume dashamirës të muzikës dhe për të qenë edhe pjesë e atmosferës së festave. Pianodrom vlerësohet si pol i kulturës dhe festivali më i madh në Shqipëri i modernizimit të kompozicionit shqiptar.