Lola Gjoka nuk është vetëm pianistja e parë shqiptare por edhe një nga zërat që konsolidoi institucionet e artit shqiptar.
Familja e saj me origjinë shqiptare, nga Korça kishte emigruar në Rusi. Rridhte nga një familje atdhetarësh shqiptarë prej Bulgarecit të Korçës. Nisi të luante në piano që në moshën 6-vjeçare dhe shkëlqeu në skena ndërkombëtare, si ajo e Vjenës.
Vitet `30 do ta gjenin së bashku me kolegët e kohës, si: Tefta Tashko-Koço, Marie Kraja, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Kristo Koço etj. Kjo plejadë artistësh do të mbante gjallë muzikën lirike shqiptare, që sapo kishte filluar të rigjente bazat e saj në kulturën popullore.
Krahas punës koncertore në Shqipëri dhe leksioneve për piano që jepte pranë Institutit femëror “Nëna Mbretëreshe”, Gjoka ndiqte edhe konservatorin e Athinës, të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1936.
Pas lufte, do të promovonte në krah të Marie Krajës zhvillimin e lirikës qytetare shqiptare, duke i dhënë një zë të rëndësishëm këtij zhanri muzikor.
Lola Gjoka ka qenë e para mësuese e pianos, në Liceun Artistik. Për merita të shumta në zhvillimin e lëmit muzikor, përmes përgatitjes së “filizave” të rinj në shkollën e mesme “Jordan Misja”, në Konservatorin e Tiranës apo edhe në rolin e koncert-maestros të Orkestrës filarmonike të vendit, Gjoka u nderua me titullin më të lartë, “Artiste e Popullit”.