Një anije luftarake e re e Koresë së Veriut u dëmtua rëndë gjatë ceremonisë së saj të inaugurimit, raportuan mediat shtetërore.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un e përshkroi incidentin e së mërkurës si “një aksident serioz dhe një akt kriminal që u shkaktua nga pakujdesia, papërgjegjësia dhe empirizmi joshkencor i pastër”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA.
Sipas raportit, pjesë të dyshemesë së anijes me sa duket u shtypën gjatë lëshimit në kantierin detar në Chongjin.
Nuk ishte e mundur të verifikoheshin në mënyrë të pavarur detajet e aksidentit.
Anija e dëmtuar u tha të ishte një destrojer, i aftë të mbante armë bërthamore taktike.
Është e pazakontë që agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut të raportojë për një aksident të tillë, me Kim që theksoi se incidenti “uli dinjitetin dhe vetërespektin e shtetit’’.
Situata në Gadishullin Korean mbetet jashtëzakonisht e tensionuar, më shumë se 70 vjet që kur Lufta Koreane përfundoi me një armëpushim, por pa traktat paqeje në vitin 1953, që do të thotë se Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut teknikisht janë ende në luftë.