Të paktën pesë persona vdiqën nga stuhi të dhunshme që përfshinë dje Kroacinë, Slloveninë dhe Bosnje-Hercegovinën, pas disa ditësh temperaturash përvëluese në Ballkan. “Kjo është një stuhi e paprecedentë edhe për sa i përket dëmeve”, tha kryetari i bashkisë së kryeqytetit kroat të Zagrebit, Tomislav Tomasheviç. Shtyllat elektrike u dëmtuan, shumë çati të shtëpive u rrëzuan nga erërat e forta dhe disa rrugë u përmbytën. Të paktën katër persona – tre në Kroaci dhe një në Slloveni – u vranë nga rënia e pemëve, duke përfshirë dy në Zagreb ku një spital u përmbyt gjithashtu, sipas raporteve të policisë dhe mediave lokale. Viktima e tretë në Kroaci është një 40-vjeçar i vrarë kur një pemë e shkulur nga stuhia u përplas me furgonin e tij në lindje të vendit, thotë policia. Në Zagreb, ekipet ishin në punë sot në mëngjes për të pastruar mbeturinat nga rrugët, me autoritetet që u kërkuan njerëzve të mos shkonin në parqe ku ishin shkulur pemët dhe shtyllat e energjisë elektrike të dëmtuara. Erërat e forta kanë shkaktuar edhe rënien e një vinçi, duke plagosur rëndë personin që vepronte në kabinë. Në Slloveninë fqinje, një person u vra nga një pemë që binte pranë liqenit Bled dhe një grua vdiq në Brcko në veri të Bosnjës gjatë stuhisë, sipas mediave lokale. Kjo stuhi në Ballkan vjen pasi shumë vende të botës po përballen me kushte ekstreme të motit. atsh
Pesë të humbur nga një stuhi në Kroaci, Slloveni dhe BH
RELATED ARTICLES