Grënlanda është e rëndësishme nga perspektiva e mbrojtjes me raketa, nga perspektiva hapësinore dhe nga perspektiva e konkurrencës globale – kështu thotë Rebecca Pincus, drejtore e Institutit Polar të Qendrës Wilson dhe ish-këshilltare e Departamentit amerikan të Mbrojtjes për strategjinë e Arktikut.

Diskutimet për këtë ishull janë intensifikuar këtë muaj, pasi presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për ta marrë kontrollin e tij nga Danimarka.

Uashingtoni ka qenë i interesuar ta merrte Grënlandën – për t’i zbutur kërcënimet që buronin nga Arktiku – edhe shumë kohë para Trumpit. Ai i ka ofruar Danimarkës 100 milionë dollarë ar për ishullin e akullt, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ky interesim është rritur viteve të fundit, pasi Rusia dhe Kina kanë shtuar aktivitetet e tyre ushtarake dhe tregtare në Arktik, bëjnë stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe investojnë në sisteme të reja armësh, të tilla si raketat hipersonike.

“Grënlanda po bëhet më e rëndësishme, ndërkohë që ne e gjejmë veten në një konkurrencë globale me Kinën dhe në një revolucion të ri teknologjik sa u përket luftërave”, thotë Pincus për Radion Evropa e Lirë.

Një territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës, Grenlanda është fizikisht më afër Shteteve të Bashkuara – vetëm 1.900 kilometra e ndajnë shtetin Mein nga brigjet e ishullit arktik.

Si territor i Danimarkës, ajo është pjesë e NATO-s, por Grënlanda dëshiron që të pavarësohet nga Kopenhaga dhe disa ekspertë druajnë se një gjë e tillë mund t’u hapë dyert Rusisë dhe Kinës për të fituar terren në atë vend.

Shtetet e Bashkuara kanë një bazë hapësinore në Grënlandë për mbrojtjen raketore dhe mbikëqyrjen hapësinore, por kontrolli i gjithë ishullit do t’u mundësonte të mbroheshin më mirë kundër kërcënimeve detare dhe ajrore që burojnë nga rajoni, si dhe rreziqeve nga hapësira.

Rusia ka një prani shumë më të madhe ushtarake në Arktik, sesa Shtetet e Bashkuara, dhe ka vazhduar të investojë shumë në kapacitetet e saj mbrojtëse në rajon, pavarësisht luftës në Ukrainë.

Gjenerali amerikan në pension, Terrence J. O’Shaughnessy, i cili ka shërbyer si komandant i Komandës Veriore të SHBA-së, ka thënë në një seancë dëgjimore në Senat në shkurt të vitit 2020, se nëse Rusia do ta sulmonte SHBA-në, ka të ngjarë ta bënte këtë nëpërmjet Arktikut.

Jahara Matisek, profesor në Kolegjin e Luftës Detare në SHBA, i cili flet për Radion Evropa e Lirë si ekspert i pavarur dhe jo në emër të Qeverisë amerikane, thotë se infrastruktura ushtarake e SHBA-së në Arktik është e dobët.

Sipas tij, ajo është hallka më e dobët në mbrojtjen e atdheut.

“Nëse doni të jeni një vend i fuqishëm hapësinor dhe të jeni në gjendje ta projektoni fuqinë hapësinore, sa u përket sistemeve të armëve hapësinore sulmuese dhe mbrojtëse dhe llojeve të tjera të ISR-së [inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit], duhet të keni infrastrukturë në Arktik”, thotë ai.