Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEPërmirësimi i klimës së biznesit

Përmirësimi i klimës së biznesit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj mori pjesë në prezantimin e vrojtimit të Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri “Mjedisi i biznesit në Shqipëri 2021-2022”.

Në fjalën e saj, Ministrja shprehu angazhimin e qeverisë për përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së biznesit në vend dhe në këtë kuadër, vrojtimi i realizuar nga FIAA i vjen në ndihmë pikërisht këtij angazhimi, në mënyrë që të merren vendimet e duhura dhe në funksion të zgjidhjes së problematikave të biznesit dhe investitorëve të huaj.

Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se Ministria e Financave dhe Ekonomisë i konsideron me seriozitet rekomandimet e ndryshme që vijnë nga shoqatat e biznesit dhe dhomat e tregtisë.

Duke iu referuar publikimit “White Book” të FIAA, Ibrahimaj tha se nga 138 rekomandime që përmban ky publikim, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka adresuar 56 prej tyre, duke i integruar në planet e punës të saj, ndërsa 65 rekomandime janë ezauruar në nivel teknik dhe presin të përfshihen në planet e punës.

“Nga 138 rekomandime, vetëm 17 kanë mbetur ende në proces pune. Kjo tregon se ne jemi të angazhuar që klima e biznesit të përmirësohet dhe vrojtime si ky që u prezantua sot janë shumë të rëndësishme për ne, në mënyrë që të marrim vendimet e duhura dhe të shohim se ku janë problematikat që investitorët e huaj shohin në ambientin e biznesit në Shqipëri”, u shpreh Ibrahimaj.

Klima e biznesit ndër vite është përmirësuar dhe këtë e dëshmojnë edhe shifrat, ku numri i investitorëve të huaj që ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik në Shqipëri ka ardhur gjithnjë e në rritje.

“Vetëm këtë vit ka pasur rreth 60 biznese të huaja që janë regjistruar dhe duke marrë parasysh situatën në të cilën ndodhemi, pasigurinë në të cilën ndodhemi për të ardhmen, mendoj se është inkurajuese që ka investitorë që vendosin të vijnë në Shqipëri. Ne do të vazhdojmë punën tonë me reformat e nisura, qoftë në taksim, qoftë në sistemin gjyqësor, qoftë në përmirësimin e klimës së biznesit në vazhdimësi”, u shpreh Ministrja.

Vrojtimi i FIAA nxjerr në pah disa problematika që perceptohen nga investitorët në vendin tonë, ku nuk mungojnë edhe gjetjet pozitive, pasi krahasimi bëhet me vitin 2019.

“Duke marrë parasysh vitet e vështira që kemi kaluar dhe situatën e vështirë që po kalojmë, mendoj se rezultatet janë inkurajuese, me qëllim që ne të vijojmë reformat që kemi filluar”, tha Ministrja.

Një prej gjetjeve të vrojtimit lidhet me kualifikimin e forcës punëtore. Lidhur me këtë, Ministrja theksoi se kualifikimi i forcës së punës është në fokus të MFE dhe institucioneve të saj të varësisë, të cilat kanë shtuar punën për realizimin e këtij qëllimi.

Ibrahimaj u ndal edhe në çështjen e reformës në drejtësi, e cila trajtohet edhe në Vrojtimin e kryer, dhe shprehu bindjen se implementimi i plotë i saj do të ketë një impakt shumë pozitiv në klimën e biznesit.

https://ata.gov.al/2022/07/13/permiresimi-i-klimes-se-biznesit-ibrahimaj-te-vendosur-per-vijimin-e-reformave/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments