Ky investim mbron mjedisin dhe shëndetin publik, ndërsa mbështet Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato i pranishëm në ceremoninë e hapjes tha se “Përmeti po tregon se si mund të duket e ardhmja e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri. Kjo qendër e re mban mbetjet larg lumenjve dhe landfilleve, krijon mundësi ekonomike dhe mbështet rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së”.
“Gjithashtu qendra tregon se kur komunitetet lokale, BE-ja dhe partnerët tanë punojnë së bashku, ndryshimi bëhet realitet”, theksoi Gonzato.
Qendra e ndërtuar me ekspertizën e GIZ — do të grumbullojë, ndajë dhe presojë materiale si plastika, letra dhe metali, duke i mbajtur larg landfilleve, lumenjve dhe natyrës.
Këto materiale të riciklueshme mund të shiten më pas tek industria e riciklimit, duke ndihmuar bashkinë të mbulojë kostot operative dhe madje të gjenerojë të ardhura.
Bashkia e Përmetit grumbullon rreth 1700 tonë mbetje në vit dhe pothuajse vetëm një e treta e tyre mund të riciklohet.





