Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ka reaguar sot lidhur me situatën e shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut që përfshinë mbrëmjen e djeshme disa fshatra të Bashkisë Maliq. Krifca shprehet në një postim në rrjetet sociale se “aktualisht ka rënë niveli i ujit në Maliq, pas vështirësive të shkaktuara gjatë mbrëmjes së djeshme nga shirat e rrëmbyeshëm e të menjëhershëm”. Ministrja bën me dije se skuadrat po pastrojnë grykëderdhjet e kanaleve të bllokuara gjatë natës nga inertet. Kreu i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu dhe Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole kanë ndjekur nga afër situatën shqetësuese dhe problematike të shkaktuar nga reshjet në fshatin Zëmblak e Plasë ku përrenjtë me prurje të larta kishin dalë nga shtrati. Grupet dhe strukturat e Emergjencave Civile, të cilave iu bashkuan edhe disa subjekte private edhe me ndihmën e komunitetit, punuan orë të tëra për normalizimin e situatës në Zëmblak, Vranisht, Shamoll, Plasë, Belorta e Kuç i Zi, ku gjithashtu pati disa probleme. Ndërsa ditën e sotme ata bëjnë me dije se situata është përmirësuar dhe se prurjet e përrenjve kanë rënë dhe po shkojnë drejt normales. Në fshatin Zëmblak situata paraqitet më e rënduar, por strukturat e EC-së, punonjësit e bashkisë janë në terren dhe vazhdojnë të punojnë për pastrimin e inerteve. Mjetet dhe stafet përkatëse do të qëndrojnë në terren sot edhe nesër, në gatishmëri për çdo situatë tjetër që mund të shkaktohet si rrjedhojë e reshjeve të pritshme. Topçiu dhe Jole thekson se grupet e punës të bashkisë do jenë në terren për të bërë evidentimin e dëmeve . atsh