Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se është përmbyllur me sukses stërvitja e përbashkët “JointIonian Livex 2023”, ndërmjet Forcës Detare shqiptare dhe asaj greke që u zhvillua në ujërat e detit Jon. Në një postim në rrjetet sociale, Peleshi shprehet se me fokus përmirësimin e ndërveprimit në kryerjen e operacioneve detare, kjo stërvitje është vazhdimi i forcimit të mëtejshëm të lidhjeve si një formë e rëndësishme e bashkëpunimit rajonal dhe besimit reciprok midis Forcave Detare të dy vendeve tona me dalje në detin Jon”. Në këtë stërvitje të përbashkët morën pjesë 2 anije të Forcës Detare shqiptare, anija Iliria P-131 dhe Oriku P-132 si dhe anija e Forcës Detare greke Troupakis P-23. Gjatë tri ditëve në det anijet zhvilluan stërvitje për proceduarat e zhvillimit të operacioneve të kërkim – shpëtimit SAR, operacionet e zbatimit të ligjshmërisë, procedurat e ndalimit në det, formacione të ndryshme lundrimi, furnizimi në det, mbrojtja e afërt e anijeve nga sulmet asimetrike. Stërvitja u zhvillua bazuar në procedurat standarde të NATO-s, për zhvillimin e operacioneve detare. Në ceremoninë përmbyllëse të aktivitetit në portin e Sarandës, stërvitja u ndoq nga afër në det nga komandanti i Forcës Detare kundëradmiral Adnand Agastra, si dhe përfaqësuesi i Forcës Detare greke komodor Vasileios Gyparis. Gjithashtu në ceremoni morën pjesë dhe autoritetet lokale të qytetit të Sarandës. Ky aktivitet luan një rol të rëndësishëm në rritjen e sigurisë detare, ndërveprueshmërisë ndërmjet dy vendeve dhe stabilitetit në rajon.
Përmbyllet stërvitja e përbashkët “Joint Ionian Livex 2023”
RELATED ARTICLES